Për nder të 2 gushtit, Ditës së Diasporës, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Posta e Kosovës, në kuadër të platformës “ShijoKosovën”, kanë nxjerrë në qarkullim postar emisionin e jashtëzakonshëm të pullave postare, me titull “Shijo Kosovën”.
Roli dhe kontributi i bashkatdhetarëve tanë në periudhat e ndryshme të historisë sonë ishte dhe vazhdon të jetë i pazëvendësueshëm. Në ditët e sotme, shumë prej tyre shërbejnë si ambasadorë të shkëlqyeshëm të Republikës së Kosovës, duke na bërë krenarë me arritjet e tyre në shkencë, art, kulturë, sport, biznes, teknologji e në shumë sfera të tjera.
Në shenjë falënderimi për kontributin e bashkatdhetarëve tanë, MPJD-ja dhe Posta e Kosovës paraqesin pamjet e pullës postare pikërisht me logon e të gjitha manifestimeve të organizuara përmes “Shijo Kosovën”, platformë kjo dedikuar diasporës sonë.
Kujtoni këto ditë të bukura të verës 2023 në Kosovë, duke blerë pulla postare! Po ashtu, dërgoni përshëndetje nga Kosova me këtë pullë postare, që përfaqëson vendin tonë të dashur.