Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përkatësisht Akademia Diplomatike, në bashkëpunim me fondacionin gjerman “Friedrich-Ebert”, ka hapur sot punimet e edicionit të 9-të të Shkollës Diplomatike Pranverore.
Në ceremoninë e hapjes, diplomatëve nga 35 shtete të botës u është drejtuar presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani Sadriu.
Duke u uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, presidentja Osmani ka thënë se Shkolla Diplomatike është një prej organizimeve më të rëndësishme të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, e cila sjell në Kosovë diplomatë nga mbarë bota, për t’i krijuar e për t’i forcuar kështu edhe më tej raportet diplomatike mes tyre.
Presidentja Osmani, gjithashtu, u shpreh se Kosova ka shënuar progres në politikën e jashtme dhe se anëtarësimi në BE dhe NATO janë synimi kryesor, për të cilat është duke u punuar jashtëzakonisht shumë.
Në fjalën e tij, drejtori i përgjithshëm i Akademisë Diplomatike, z.Beqir Ismaili, u shpreh se edicioni i nëntë pasqyron nevojën për të kuptuar dhe për t’i përgatitur diplomatët për sfidat dhe mundësitë e diplomacisë ekonomike në një mjedis gjithnjë e më të globalizuar.
Ndërkaq, drejtori i FES-it, z.Rene Schlee, u shpreh se organizimi i Shkollës Diplomatike është një mundësi e jashtëzakonshme për të ndërtuar ura komunikimi mes shteteve dhe diplomatëve të rinj që synojnë përfaqësimin e politikave ndërkombëtare.
Ai u shpreh se tashmë tema e zgjedhur e këtij viti, që lidhet me diplomacinë ekonomike, ka një rëndësi parësore për të gjitha shtetet.
Edicioni i nëntë i Shkollës Diplomatike Pranverore ka mbledhur afro 40 diplomatë të rinj nga 35 shtete të ndryshme të botës, të cilët për 5 ditë do të qëndrojnë në Kosovë.
Ata, përveç trajnimit, do të vizitojnë edhe vende historike dhe kulturore të Kosovës.