Ministrat Gërvalla dhe Soto theksuan përkushtimin për të afruar qytetarët e dy vendeve përmes shkëmbimeve kulturore, arsimore dhe turizmit, duke krijuar ura të reja bashkëpunimi. Në fokus të diskutimit ishin gjithashtu mundësitë për të zgjeruar bashkëpunimin ekonomik e tregtar, për të nxitur investimet dhe për të ndërtuar marrëveshje që krijojnë kushte më të favorshme për biznes dhe qarkullimin ekonomik mes dy vendeve.
Rëndësi gjatë këtij diskutimi iu kushtua edhe konsultimeve të rregullta mes ministrive të jashtme, intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet akademive diplomatike dhe krijimin e lidhjeve të qëndrueshme parlamentare që do të forcojnë partneritetin politik ndërmjet Kosovës dhe Hondurasit.
Një nga temat e diskutimit ishte edhe lehtësimi i lëvizjes së qytetarëve.
“Kosova tashmë e ka hapur derën për qytetarët e Hondurasit dhe presim që edhe Hondurasi së shpejti të ndërmarrë hapa në këtë drejtim” tha Ministrja Gërvalla.
Ky takim konfirmon përkushtimin e Kosovës për të zgjeruar rrjetin e saj diplomatik dhe për të avancuar marrëdhëniet me shtetet partnere në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar.