Panama City, 21 tetor 2023 – Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, e shoqëruar nga ambasadorja e Kosovës në Panama, Heroina Telaku, ka nisur vizitën zyrtare në Panama. Atë e priti zëvendesministrja e ngarkuar për Punë të Jashtme e Panamasë, Carla Ramirez.
Me këtë rast, zëvendësministrja Gashi e falënderoi homologen e saj panameze, Raminez, për pritjen, duke e theksuar se mbështetja e aleatëve tanë, si Panamaja, për Kosovën është vendimtare për forcimin e pozitës sonë ndërkombëtare.
Nga ana e saj, zëvendësministrja Ramirez shprehu kënaqësinë për vizitën e delegacionit të Kosovës, duke rikonfirmuar raportet shumë të mira që kanë ndërtuar të dyja shtetet ndër vite.
Zëvendësministrja Gashi e njoftoi palën panameze për situatën politike në Kosovë, si dhe për procesin integrues të Republikës së Kosovës në BE dhe fillimin e zbatimit të liberalizimit të vizave me vendet e BE-së. Ajo theksoi se është e rëndësishme që edhe Panamaja t’i heqë vizat për shtetasit e Republikës së Kosovës, duke pasu parasysh se Panamaja ka liberalizim të vizave me vendet e Shengenit.
Të dyja delegacionet diskutuan për mundësinë e bashkëpunimit në fushën e kulturës, edukimit dhe akademive diplomatike, dhe në këtë kontekst u propozua që të formohet një grup i punës nga të dyja vendet, për t’i shtyrë përpara çështjet e dakorduara. Po ashtu, në takim u rikonfirmua gatishmëria për thellimin e bashkëpunimit në politikën e jashtme dhe mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Gjatë kësaj vizite zyrtare, zëvendësministrja Gashi do të zhvillojë takime të veçanta edhe me nënkryetaren e Parlamentit të Panamasë dhe grupit të miqësisë në parlament, me sekretarin ekzekutiv të Parlamentit të Amerikës Latine (Parlatino), Elías Castillo, me zv. ministrin e Kulturës, Gabriel Gonzalez Paredes, zv. ministrin e Edukimit të Panamasë, Ariel Rodríguez Gil. Po ashtu, Gashi do t’i bëjë vizitë qytetit të dijes, si dhe do të zhvillojë takime me Dhomën e Tregtisë dhe me Agjencinë për Promovim të Investimeve “ProPanama”.