Zëvendësministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Liza Gashi, mori pjesë në ceremoninë e hapjes së edicionit të 24-të të Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës.
Në fjalën e saj, znj. Gashi vlerësoi lart organizimin e këtij edicioni, duke theksuar rëndësinë që ka ky program për Kosovën. Ajo tha se ngjarje të tilla krijojnë ura bashkëpunimi mes studentëve dhe studiuesve të rinj nga universitete të ndryshme të botës me ata të Kosovës.
Zëvendësministrja Gashi ritheksoi mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për Universitetin Veror, duke e cilësuar këtë program si një formë të diplomacisë qytetare.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ofron mbështetje të fuqishme për programe të tilla, sepse besojmë se kjo është platforma më e mirë, jo vetëm për të pasuruar jetën akademike, por edhe për të thelluar lidhjet kulturore me vendin dhe për të promovuar rolin e diplomatit qytetar. Të gjithë ne kemi një histori për të ndarë dhe një mundësi për t’u lidhur, por ta njohësh një vend nga larg është krejt ndryshe nga përjetimi i drejtpërdrejtë i kulturës dhe realitetit të tij,” u shpreh ajo.
Ajo shtoi se MPJD-ja do të vazhdojë të ofrojë përkrahje institucionale për projekte që kanë për qëllim promovimin e vendit përtej titujve mediatikë.
Edicioni i sivjetshëm i Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës ka mbledhur studentë nga vende të ndryshme të botës, të cilët, së bashku me studentët vendas, do të kenë mundësi të shumta për shkëmbim njohurish në nivel akademik dhe kulturor, përmes 16 kurseve të ofruara nga ekspertë të njohur vendorë dhe ndërkombëtarë.
Përveç kurseve akademike që mbulojnë fusha të ndryshme studimore, pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të përjetojnë edhe anën kulturore të Kosovës përmes ekskursioneve, programeve kulturore dhe aktiviteteve jashtëshkollore që shfaqin bukuritë dhe gjallërinë kulturore të vendit.