Drejtori i Departamentit për Diplomaci Ekonomike, z. Artan Duraku dhe Udhëheqësi i Komunikimit me Publikun, z. Sami Kastrati, pritën në një takim pune në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, delegacionin e Odës Ekonomike Zvicër-Kosovë, i cili kryesohej nga kryetari i Odës Ekonomike, z. David Garcia.
Në takimin, që shënon fillimin e vizitës së tyre biznesore në vendin tonë, dy përfaqësuesit e MPJD-së fillimisht i shprehën mirëseardhje delegacionit nga Zvicra, duke i falënderuar ata për punën, angazhimin dhe përkushtimin e vazhdueshëm në thellimin dhe zgjerimin e mëtejme të marrëdhënieve ekonomike në mes dy vendeve dhe në veçanti për vizitën e tyre biznesore në Kosovë, e cila synon identifikimin e projekteve dhe mundësive të tanishme për investime potenciale.
Bashkëbiseduesit vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyeshme në mes dy vendeve dhe dy popujve, duke theksuar rolin e jashtëzakonshëm të mërgatës shqiptare nga Kosova në këtë afrim dhe rritje të vazhdueshme të bashkëpunimit të ndërsjellë.
Delegacioni i Odës Ekonomike Zvicër-Kosovë në kuadër të vizitës biznesore në Kosovë nga data 28 deri me datën 31 maj do të zhvillojë takime me udhëheqësit më të lartë të Institucioneve, përfaqësues të bizneseve dhe kryetarë të Komunave të Republikës së Kosovës.