Republika e Kosovës u përfaqësua nga një delegacion i lartë i Ministrisë së Punëve të jashtme dhe përfaqësuesi ynë ushtarak në Zagreb. Gjatë kësaj pjesëmarrjeje, delegacioni zhvilloi konsultime përmbajtjesore dypalëshe me partnerë dhe aleatë kyç ndërkombëtarë, përfshirë zyrtarë të lartë të Byrosë për Çështje të Çarmatimit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Drejtorin kryesor për politika në Departamentin e Luftës së SHBA-ve, drejtues tjerë të politikave për armët e shkatërrimit në masë në Departamentin Amerikan të Luftës, si dhe përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Kroacisë.
E organizuar nga Republika e Kroacisë në bashkëpunim me SHBA-të, konferenca mblodhi partnerë ndërkombëtarë të përkushtuar ndaj forcimit të bashkëpunimit në fushën e sigurisë globale. Iniciativa për Sigurinë Kundër Përhapjes (PSI) është një kornizë globale bashkëpunimi, e cila përfshin 116 shtete pjesëmarrëse, të angazhuara për vendosjen e masave proaktive me qëllim të parandalimit të përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë dhe sistemeve të bartjes së tyre dhe materialeve përkatëse.
Gjatë diskutimeve, përfaqësuesit e partnerëve ndërkombëtarë vlerësuan pozitivisht pjesëmarrjen e Kosovës dhe përkushtimin e saj për përafrim me standardet ndërkombëtare të sigurisë. Pjesëmarrja e Kosovës në këtë iniciativë dëshmon përkushtimin e saj të palëkundur për të bashkëpunuar ngushtë me aleatët dhe partnerët kyç në adresimin e kërcënimeve të reja globale, parandalimin e armëve të shkatërrimit në masë dhe kontributin aktiv në ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe global.