Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), në bashkëpunim me shoqërinë e akademikëve shqiptarë “DIJA” dhe me Institutin Shkencor Mbarëkombëtar “Alb-shkenca“, në kuadër të ‘Takimeve të Mynihut’, ka bashkorganizuar simpoziumin shkencor me temën “Sfidat dhe mundësitë e inkuadrimit të diasporës në bashkëpunime dhe rrjetëzime shkencore kombëtare e ndërkombëtare”.
Në fjalën e saj para të pranishmëve, zëvendësministrja e MPJD-së, Liza Gashi ka përshëndetur punimet e simpoziumit, duke e vlerësuar lart rëndësinë e bashkëpunimit të diasporës me institucionet e vendit, veçanërisht për çështjet që kanë të bëjnë me avancimin dhe përfshirjen e diasporës në bashkëpunime dhe rrjetëzime shkencore.
Në diskutime u theksuan sfidat dhe mundësitë e kthimit të diasporës shkencore në vendet amë, si dhe mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet shkencëtarëve në vend dhe atyre në diasporë, veçanërisht në hulumtime dhe botime shkencore.






Zëvendësministrja Gashi tha se MPJD-ja mbetet e angazhuar për zhvillimin e programeve, mbështetjen e projekteve dhe të nismave që mundësojnë angazhimin dhe komunikimin e dyanshëm dhe gjithëpërfshirës me profesionistët dhe akademikët nga diaspora dhe vendet amë.
Pjesë e këtij simpoziumi ishin përfaqësues të institucioneve publike nga Republika e Kosovës dhe nga Republika e Shqipërisë, përfaqësues të shoqatave dhe pjesëtarë të komunitetit shkencor në Diasporë.
“Takimet e Mynihut”, të cilat organizohen në baza vjetore, synojnë që në të ardhmen të konsolidohen brenda Akademisë së Shkencave të Diasporës.