Zëvendësministrja e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, ka qëndruar në Vjenë ku ka vazhduar aktivitetet në kuadër të serisë së punëtorive me mësimdhënësit e mësimit plotësues në gjuhën shqipe.
Punëtoria në Austri mblodhi profesionistët e fushës për të diskutuar temat me rëndësi, sa i përket mësimit plotësues në Gjuhën Shqipe, sfidave me të cilat ballafaqohen mësimdhënësit në Austri, si dhe u theksua rëndësia e shkëmbimit të përvojave dhe bashkëpunimi e komunikimi me institucionet e Kosovës.
Zëvendësministrja Gashi shpalosi programin qeveritar për përkrahjen institucionale të Diasporës dhe adresimit të nevojave të parashtruara bashkëbisedimet të ngjashme.
“Bashkëbisedimet tona përbëjnë një bazë të mirë për të ndërtuar, përveç politikave e strategjive përkatëse, edhe një dialog të qëndrueshëm institucional me fokus tek fuqizimi i bashkëveprimit nxënës, prind dhe mësues”, tha zëvendësministrja Gashi.
Gjatë punëtorisë u diskutua edhe roli i Ambasadave në Vjenë, në procesin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe, si dhe organizimi i Seminarit Mbarëkombëtar i Mësimit Plotësues në Diasporë, që do të mbahet në muajin korrik të këtij viti, në Republikën e Kosovës.