Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, dhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj.Donika Gërvalla-Schwarz, sot morën pjesë në takimin e parë të Grupit Koordinues për Anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës.
Në fjalën e tij para të pranishmëve kryeministri Kurti tha se Republika e Kosovës ka plotësuar edhe kërkesat ligjore edhe standardet demokratike për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës.
Ai shtoi se do të bashkëpunojë ngushtë me Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës përgjatë tërë procesit të vlerësimit dhe se ka besim se ky Grup Koordinues ndër-institucional, nën udhëheqjen e zëvendësministrit Ahmeti, do të punojë me përkushtim në funksion të mbarëvajtjes së vizitave fakt-mbledhëse, si dhe në adresimin e të gjeturave dhe rekomandimeve nga raportuesit.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla Schwarz, u shpreh se etapa e parë e anëtarësimit në Këshillin e Evropës ka qenë shumë e rëndësishme dhe nuk do të bëhej pa bashkëpunim Presidencës, Kryeministrisë, Kuvendit dhe MPJD-së, të cilat edhe i falënderoj për angazhimin dhe përkushtimin për këtë proces.
Në pjesën e dytë të takimit të Grupit, i cili kryesohet nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, z. Kreshnik Ahmeti, u theksua rëndësia e koordinimit ndër-institucional në mënyrë që edhe faza e dytë e anëtarësimit të kalohet me suksesin e fazës së parë.
Zëvendësministri Ahmeti gjithashtu theksoi se nga institucionet përgjegjëse po vazhdohet në mënyrë intensive lobimi edhe për këtë fazë, dhe se janë optimistë për sigurimin e mbështetjes së fuqishme në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.