Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, z. Glauk Konjufca, priti në takim Shefen e Zyrës së Këshillit të Evropës në Republikën e Kosovës, znj. Mary Ann Hennessey.
Gjatë takimit u trajtua bashkëpunimi ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Evropës, me theks në zbatimin e projekteve të përbashkëta dhe në progresin e arritur në kuadër të proceseve të harmonizimit me standardet dhe mekanizmat e kësaj organizate.
U diskutuan prioritetet institucionale në funksion të avancimit të reformave demokratike, forcimit të sundimit të ligjit dhe garantimit të mbrojtjes efektive të të drejtave të njeriut, në përputhje me parimet dhe instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës.
Zëvendëskryeministri Konjufca riafirmoi angazhimin e Republikës së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit me Këshillin e Evropës dhe për konsolidimin e mëtejshëm të kapaciteteve institucionale në përmbushjen e standardeve evropiane.