Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, z. Glauk Konjufca, zhvilloi një takim me Ambasadorin e Republikës së Turqisë në Kosovë, Sh.T. Sabri Tunç Angılı.
Në takimin njoftues pas formimit të qeverisë së re, Ambasadori Angılı e uroi për detyrën e re dhe riafirmoi përkushtimin e Turqisë për vazhdimin e partneritetit të ngushtë me Republikën e Kosovës.
Gjatë takimit u diskutua për progresin në bashkëpunimin dypalësh dhe për nënshkrimin e marrëveshjeve që forcojnë më tej lidhjet ndërmjet dy vendeve, si dhe për mundësitë e shkëmbimit të vizitave në nivele të ndryshme. Republika e Turqisë mbetet një partner i rëndësishëm për Republikën e Kosovës dhe bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve do të vazhdojë të thellohet në fusha me interes të përbashkët.