Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, z. Glauk Konjufca, zhvilloi një takim miqësor me Shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë, znj. Heleni Vakali.
Në takim, znj. Vakali e përgëzoi Zëvendëskryeministrin Konjufca për mandatin e ri dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. Ajo gjithashtu përshëndeti vendimin për heqjen e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës. Gjatë bisedës u diskutua për zhvillimin e mëtejshëm të kontakteve dhe bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për avancimin e marrëdhënieve dhe ndërtimin e bashkëpunimit me Greqinë.