Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, mori pjesë në edicionin e tretë të Forumit Ekonomik Gjermano-Kosovar në Prishtinë, në panelin kushtuar rolit të diasporës sonë në Gjermani në nxitjen e investimeve dhe bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Në diskutim, ai shprehu mirënjohjen për mbështetjen historike të Gjermanisë për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës, duke theksuar se miqësia ndërmjet dy popujve dhe lidhjet e krijuara nga mërgata përbëjnë një themel të fuqishëm për partneritetin mes dy vendeve.
Zëvendëskryeministri Konjufca vlerësoi kontributin e diasporës sonë në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe në krijimin e lidhjeve profesionale e afariste me shtetin gjerman. Ai theksoi se diplomacia ekonomike është pjesë e angazhimit të MPJD-së për ta kthyer këtë afërsi në mundësi konkrete për vendin, përmes mbështetjes së partneriteteve ndërmjet bizneseve dhe lehtësimit të komunikimit me institucionet e Kosovës. Në këtë drejtim, ambasada dhe konsullatat në Gjermani do të vazhdojnë bashkëpunimin me shoqatat e biznesit dhe profesionistët e diasporës, duke mbështetur kontributin e tyre në zhvillimin dhe të ardhmen evropiane të Republikës së Kosovës.