Në drekën e përbashkët të punës të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) dhe Nismës së Evropës Qendrore (CEI), falënderova Ministren e Punëve të Jashtme të Rumanisë, Oana Țoiu, për organizimin e një diskutimi të rëndësishëm mbi të ardhmen e bashkëpunimit rajonal.
Teksa shënojmë tri vjet nga sulmi terrorist në Banjskë, në të cilin u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, theksova se bashkëpunimi duhet të mbështetet në besim, barazi dhe respekt për sovranitetin dhe integritetin territorial. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në një kohë kur rajoni ynë dhe Evropa përballen me kërcënime hibride dhe presione gjeopolitike në rritje.
Për Republikën e Kosovës, bashkëpunimi rajonal duhet ta plotësojë, e jo ta zëvendësojë, aspiratën tonë të përbashkët evropiane, duke sjellë njëkohësisht rezultate konkrete përmes lidhjeve më të mira rajonale, tregtisë, energjisë, bashkëpunimit digjital, mobilitetit dhe qëndrueshmërisë.
Këto formate duhet të vlerësohen sipas asaj që u ofrojnë qytetarëve tanë. Të rinjtë tanë duan mundësi, mobilitet dhe mirëqenie, ndërsa përgjegjësia jonë është t’i krijojmë këto mundësi këtu, në rajonin tonë.