Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, z. Glauk Konjufca, mirëpriti sot në takim Kongresmenin amerikan Keith Self, Kryetar i Nënkomisionit për Evropën në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, në prani të të Ngarkuarës me Punë të Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, znj. Anu Prattipati.
Gjatë takimit Zëvendëskryeministri në detyrë Konjufca, shprehu mirënjohjen e thellë për rolin historik dhe mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Republikës së Kosovës. Ai theksoi se për popullin e Kosovës, partneriteti me SHBA-në nuk është thjesht diplomatik apo politik, por një lidhje e ndërtuar në momentet më të vështira dhe më vendimtare për lirinë, sigurinë dhe shtetësinë e Kosovës.
Në veçanti Zëvendëskryeministri në detyrë Konjufca, falënderoi Kongresmenin Self, një mik i dëshmuar të Kosovës, për angazhimin e tij personal dhe të vazhdueshëm ndaj vendit tonë, përfshirë iniciativat në Kongresin amerikan që mbështesin anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe adresimin institucional të çështjes së të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Ai shprehu gjithashtu gatishmërinë për thellimin e mëtejmë të këtij bashkëpunimi.
Për Kosovën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë vetëm aleati ynë kryesor strategjik, por një partner i pazëvendësueshëm historik, me të cilin ndajmë vlera, besim dhe një lidhje të veçantë që do të qëndrojë e fortë brez pas brezi, tha Zëvendëskryeministri në detyrë Konjufca, në mbyllje të këtij takimi.