Në këtë forum, Ministrja Gërvalla theksoi se bashkëpunimi dhe siguria rajonale përbëjnë shtyllën themelore të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës dhe janë parakusht për stabilitetin dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor.
Duke marrë parasysh realitetin ndërkombëtar të karakterizuar nga pasiguri dhe sfida gjeopolitike, Ministrja Gërvalla vuri në pah rëndësinë e bashkëpunimit rajonal të qëndrueshëm si një domosdoshmëri strategjike. “Bashkëpunimi me Turqinë, sidomos në fushën e mbrojtjes, është strategjik, transparent dhe i orientuar drejt paqes; ai synon forcimin e kapaciteteve institucionale dhe kontributit në misionet ndërkombëtare paqeruajtëse” tha ministrja Gërvalla.
Derisa ka vlerësuar rolin e Platformës së Paqes për Ballkanin, si forum që dëshmon se sfidat e sigurisë duhet të adresohen përmes dialogut dhe diplomacisë, Ministrja Gërvalla theksoi se “Kosova e përcjell këtë mesazh në çdo forum rajonal dhe ndërkombëtar, duke u angazhuar për barazi, paqe dhe siguri të qëndrueshme”.
Ministrja Gërvalla rikonfirmoi angazhimin e Republikës së Kosovës për bashkëpunim gjithëpërfshirës, forcim të stabilitetit rajonal dhe avancim të dialogut si instrument strategjik për paqen, sigurinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit.