Në kuadër të vizitës zyrtare në Kosta-Rikë, zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Liza Gashi, zhvilloi takime të veçanta me zëvendësministren e Kulturës së Kosta-Rikës, znj. Vera Beatriz Vagas Leon, drejtorin e Odës Ekonomike të Kosta-Rikës, z. Roberto Federspiel, si dhe me drejtoreshën e përgjithshme të Agjencisë për Promovimin e Investimeve (CINDE), znj. Marianela Urgelles Batalla. Në fokus të këtyre takimeve ishte bashkëpunimi në fushën e diplomacisë kulturore dhe ekonomike.
Me zëvendësministren e Kulturës, znj. Vera Beatriz Vagas Leon, është biseduar për krijimin e urave të reja të bashkëpunimit në sektorin e kulturës. Theks i veçantë është vendosur në ndërlidhjen e komunitetit kulturor dhe pjesëmarrjen në festivale të ndryshme, si dhe në shkëmbimet dhe bashkëpunimet midis artistëve nga Kosova dhe atyre nga Kosta-Rika.
Në takimet me drejtorin e Odës Ekonomike të Kosta-Rikës, z. Roberto Federspiel, dhe drejtoreshën e Agjencisë për Promovimin e Investimeve (CINDE), znj. Marianela Urgelles Batalla, janë eksploruar mundësitë e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, veçanërisht në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK). Gjithashtu u diskutua edhe për nevojën e thellimit të bashkëpunimit në shkëmbimin e praktikave më të mira për promovimin e investimeve të huaja direkte, promovimin e eksporteve dhe zhvillimin e fuqisë punëtore sipas kërkesave të tregut të shekullit 21.
Në përfundim të vizitës, zëvendësministrja Gashi i ka vizituar Kolegjet e Botës së Bashkuar, me ç’rast ka mbajtur një ligjëratë dhe ka bashkëbiseduar me studentët nga vende të ndryshme të botës lidhur me procesin e shtetndërtimit të Kosovës.