Në kuadër të vizitës në ShBA, Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, z.Kreshnik Ahmeti, mori pjesë në një diskutim të organizuar nga National Committee on American Foreign Policy, ku foli për prioritetet strategjike të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës dhe sfidat aktuale me të cilat përballet vendi ynë.
Në fjalën e tij, Zëvendësministri theksoi përkushtimin e Kosovës ndaj thellimit të partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët euroatlantikë, integrimin në organizatat ndërkombëtare, si dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar.
Duke folur për sfidat në rajon, ai theksoi se ndikimi i Rusisë, si dhe qasja destabilizuese e Serbisë ndaj Kosovës dhe rajonit, përbëjnë kërcënim për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Në këtë kontekst, ai ritheksoi përkushtimin e Kosovës ndaj paqes, demokracisë dhe bashkëpunimit rajonal.
National Committee on American Foreign Policy është një organizatë e pavarur me seli në New York, e themeluar në vitin 1974 nga Hans J. Morgenthau, me mision promovimin e dialogut konstruktiv dhe zgjidhjeve pragmatike për çështje të politikës së jashtme dhe sigurisë ndërkombëtare.