Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, z. Kreshnik Ahmeti, zhvilloi një sërë takimesh në Otava me përfaqësues të lartë të institucioneve qeveritare dhe parlamentare të Kanadasë, me fokus thellimin e partneritetit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Kanadasë.
Në kuadër të vizitës, z. Ahmeti u takua me Zëvendësministrin z. Glenn Purves, nga Global Affairs Canada me të cilin diskutoi forcimin e bashkëpunimit bilateral në sektorë me potencial strategjik, përfshirë minierat, mbrojtjen, sigurinë dhe edukimin. Të dy palët vlerësuan mundësitë për avancimin e bashkëpunimit konkret dhe ndërtimin e partneriteteve të reja në këto fusha.
Zëvendësministri Ahmeti u prit gjithashtu nga Sekretari Parlamentar për Punë të Jashtme, z. Rob Oliphant, me të cilin bisedoi për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, me theks të veçantë në edukim dhe koordinim në çështjet multilaterale. Ai gjithashtu njoftoi z. Oliphant për gjendjen e rëndë të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, si pasojë e politikave sistematike diskrimimuese të regjimit të Beogradit.
Në Senatin kanadez, z. Ahmeti zhvilloi takime të ndara me Kryesuesin e Komitetit për Punë të Jashtme, z. Peter Boehm, Zëvendëskryesuesin z. Peter Harder, si dhe me senatorë nga Komiteti për Sigurinë Kombëtare, Mbrojtje dhe Çështje të Veteranëve. Në këto takime u diskutuan zhvillimet e fundit në rajon dhe më gjerë, sfidat ndaj sigurisë rajonale dhe globale, bashkëpunimi në fushën e sigurisë, si dhe rëndësia e luftimit të dezinformimit.
Zëvendësministri Ahmeti u takua edhe me Drejtorët e Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kanadasë, znj. Gallit Dobner dhe z. Martin Larose, me të cilët diskutoi zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të reja, përfshirë bujqësinë, vendosjen e konsultimeve të rregullta politike dhe lehtësimin e lëvizjes për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Po ashtu, z. Ahmeti zhvilloi takim me disa nga anëtarët e Grupit të Miqësisë Kosovë–Kanada në Parlamentin Kanadez, të kryesuar nga znj. Anita Vandenbeld. Me këtë rast, u vlerësua niveli i lartë i bashkëpunimit ndërmjet grupeve parlamentare të miqësisë të të dy vendeve, ndërsa z. Ahmeti shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Kanadasë ndaj Kosovës.