Në kuadër të vizitës zyrtare në Panama, Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, z.Kreshnik Ahmeti, zhvilloi një sërë takimesh me përfaqësues të lartë institucionalë të këtij vendi, me fokus thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fushat e kulturës, arsimit dhe ekonomisë.
Zëvendësministri Ahmeti, takoi Ministren e Kulturës, znj.María Eugenia Herrera, ku u diskutua për mundësinë e bashkëpunimit kulturor ndërmjet dy vendeve. Në këtë kuadër, u trajtua edhe pjesëmarrja e Baletit Kombëtar të Kosovës në aktivitete kulturore në Panama, si dhe u theksua rëndësia e shkëmbimit të përvojave dhe bashkëpunimit në fushën e kinematografisë.
Ndërkaq, në takimin me Kryetaren e Komisionit për Politikë të Jashtme, znj.Walkiria Chandler D’Orcy, u diskutua për avancimin e bashkëpunimit parlamentar. Në këtë drejtim, u theksua se shumë shpejt do të themelohet Grupit i Miqësisë, Kosovë–Panama ndërmjet dy parlamenteve, si një mekanizëm konkret për forcimin e marrëdhënieve ndërinstitucionale.
Në takimin me Zëvendësministren e Tregtisë së Jashtme, znj.Astrid Àbreg Gonzalez, u bisedua për inicimin e marrëveshjeve për promovimin dhe mbrojtjen e investimeve dhe për eliminimin e tatimit të dyfishtë. U theksua rëndësia e organizimit të takimeve ndërmjet bizneseve nga të dy vendet, bashkëpunimi në fushën e teknologjisë së informacionit si dhe u vlerësua gatishmëria e palës panameze për të ndarë përvojat e saj në fushën e logjistikës dhe tregtisë.