Gjatë qëndrimit në Estoni, zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, z. Kreshnik Ahmeti, ka zhvilluar takime në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe në Parlamentin estonez.
Në takimin e parë, zëvendësministri Ahmeti, është pritur nga Nënsekretarja e Shtetit, znj. Minna-Liina Lind.
Në takim u diskutua për marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe dhe mundësitë për thellimin e tyre.
Po ashtu, u bisedua për procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Me këtë rast, zëvendësministri Ahmeti, falënderoi Nënsekretaren Lind, për mbështetjen e Estonisë në Këshillin e Evropës dhe në Bashkimin Evropian.
Tema të tjera që u diskutuan ishin zhvillimet rajonale si dhe agresioni i paprovokuar i Federatës Ruse ndaj Ukrainës dhe ndikimi që ka pasur kjo tek të dyja vendet.
Ndërsa, në Parlamentin estonez u prit nga deputeti, z. Kristi Enn Vaga, njëherit anëtarë i Komisionit për Çështje të Bashkimit Evropian.
Në kuadër të këtij takimi u bisedua, për zhvillimet e fundit në të dyja vendet dhe bashkëpunimin e shkëlqyer.
Z. Vaga, njoftoi që brenda muajit do të krijohet Grupi i Miqësisë mes Parlamentit të Estonisë dhe atij të Kosovës. Ai theksoi se Estonia do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën, veçanërisht me përvojën e saj në fushën e digjitalizimit.
Zëvendësministri Ahmeti e falenderoi z.Vaga për mbështetjen e vazhdueshme që ka ofruar Estonia për shtetin tonë.