Në kuadër të përfaqësimit të Kosovës në Forumin Ekonomik të Delfit, Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Republikës së Kosovës, z. Kreshnik Ahmeti, prezantoi në panelin me temën “Gjeo-tektonika: Sfidat dhe Mundësitë për Evropën Juglindore.”
Në fjalën e tij, Zëvendësministri Ahmeti theksoi se mënyra se si i adresojmë sfidat aktuale gjeopolitike do të jetë përcaktuese për qëndrueshmërinë e zgjidhjeve që synojmë të arrijmë. Zëvendësministri më pas u ndal tek rëndësia e veprimit të qartë dhe efikas të Bashkimit Evropian për rajonin tonë. Po ashtu, ai nënvizoi domosdoshmërinë e investimit në mekanizmat e bashkëpunimit rajonal dhe shoqëri civile, krahas investimit në siguri dhe mbrojtje edhe në rajonin tonë.
Duke riafirmuar përkushtimin e Kosovës në rrugën e integrimeve evropiane, Zëvendësministri Ahmeti vlerësoi se përparimi i arritur në reformat e brendshme duhet të vlerësohet dhe të pasohet me hapa konkretë drejt integrimit në Bashkimin Evropian, si dhe në organizatat ndërkombëtare.