Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, ka pritur sot në takim lamtumirës, Ambasadorin e Konfederatës së Zvicrës në Republikën e Kosovës, Thomas Kolly, i cili përfundon mandatin e tij, pas katër viteve të shërbimit si Ambasador në Republikën e Kosovës.
Duke vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyeshme në mes dy vendeve dhe dy popujve, me mërgatën e Kosovës si një urë lidhëse në këtë përafrim, Zëvendësministri Ahmeti, ka falënderuar Ambasadorin Kolly, për përkushtimin, angazhimin dhe kontributin e tij në forcimin dhe zgjerimin e këtyre marrëdhënieve në mes Republikës së Kosovës dhe Konfederatës së Zvicrës.
Nga ana e tij, Ambasadori Kolly, ka dhënë vlerësimet më të larta për punën e institucioneve të Republikës së Kosovës sa i përket zhvillimit ekonomik, investimeve, sundimit të ligjit dhe fushave të tjera, duke i cilësuar marrëdhëniet në mes dy vendeve dhe dy popujve si të veçanta.
Në vazhdim të takimit, të dy bashkëbiseduesit janë pajtuar për potencialin e fuqishëm dhe ende të pashfrytëzuar në mes dy vendeve, sidomos në fushën e investimeve dhe rritjes së shkëmbimit tregtar, i cili vazhdon të ketë ngritje nga viti në vit. Konfederata e Zvicrës është njëri nga investitorët më të mëdhenj në Republikën e Kosovës.