Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, priti në takim të Dërguarën e Posaçme të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce.
Në takim u diskutua për marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, me fokus në thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe në përgatitjet për mbledhjen e ardhshme të Këshillit për Partneritet Kosovë–Mbretëri e Bashkuar. Ky mekanizëm mbetet i rëndësishëm për avancimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
Zëvendësministri Ahmeti dhe Dame Karen Pierce biseduan edhe për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në Ballkanin Perëndimor, si dhe për zhvillimet aktuale globale. Në këtë kontekst, u theksua rëndësia e koordinimit të ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar në adresimin e sfidave të përbashkëta.
Zëvendësministri Ahmeti shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Republikës së Kosovës dhe vlerësoi rëndësinë e partneritetit ndërmjet dy vendeve për forcimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon.