Në fjalën e tij, zëvendësministri Ahmeti theksoi se Shteti i Iowa zë një vend të veçantë në historinë moderne të Kosovës, duke kujtuar fillimin e bashkëpunimit me ardhjen e trupave të Gardës Kombëtare të Iowas në Kosovë në vitin 2003 dhe formalizimin e partneritetit përmes Programit të Partneritetit Shtetëror. Ai vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Gardës Kombëtare të Iowas, që ka kontribuar ndjeshëm në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe në transformimin e Kosovës në kontribuese aktive në paqe dhe siguri ndërkombëtare.
Zëvendësministri Ahmeti theksoi gjithashtu se ky partneritet shtrihet përtej fushës së sigurisë, duke përfshirë lidhje të qëndrueshme institucionale, marrëveshje binjakëzimi ndërmjet qyteteve, si dhe potencial të madh për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, arsimor dhe kulturor.
Në përmbyllje, ai shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës dhe për miqësinë e fortë që lidh dy vendet.