Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, z. Kreshnik Ahmeti, gjatë vizitës së tij në Japoni, përveç takimeve në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Japonisë, ka takuar edhe anëtarët e grupit të miqësisë parlamentare Kosovë – Japoni, presidentin e këtij grupi z. Ryu Shionoya dhe deputetin z. Odawara Kiyoshi.
Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe ishte mundësi e mirë për të biseduar për marrëdhëniet në mes të dy shteteve dhe planet për thellimin e këtij bashkëpunimi edhe në fushën diplomacisë parlamentare.
Zëvendësministri Ahmeti, në takime të ndara ka takuar edhe homologen e tij, zëvendësministren për Punë të Jashtme të Japonisë, znj. Yoshikawa Yummi.
Në takim u shqyrtuan mundësitë e përafrimit të ekonomive të të dyja vendeve dhe u paraqitën përparësitë e investimit në Republikën e Kosovës.
Me rastin e shënimit të pesëmbëdhjetë vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Kosovë – Japoni, zëvendësministri Ahmeti ka ftuar homologen e tij znj. Yoshikawa që vitin e ardhshëm të vizitoj Kosovën.
Takim i konstruktiv ishte edhe takimi i zëvendësministrit Ahmeti me zëvendësministrin e Mjedisit, z. Kunisada Isato, i cili ka qenë edhe kryetar i qytetit të Sanjos.
Zëvendësministri Ahmeti ka falënderuar z. Kunisada për mikpritjen e xhudistëve të Kosovës në qytetin Sanjo gjatë lojërave olimpike si dhe kanë diskutuar për mundësit e bashkëpunimit në fushën e mjedisit dhe energjisë.
Gjithashtu, zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Republikës së Kosovës, z. Kreshnik Ahmeti, ka takuar zëvendës presidentin e JICA-së, z. Naoki Ando.
Ky takim ishte mundësi e mirë për të falënderuar JICA-në për përkrahjen e vazhdueshme që ky institucion dhe Japonia kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin për Kosovën. Në këtë takim janë diskutuar edhe fushat dhe mundësitë e reja të bashkëpunimit, në fushën e transportit, energjisë së ripërtëritshme, sportit dhe projekte të tjera të përbashkëta që ka JICA dhe Kosova.
Në përmbyllje të kësaj vizite në Tokio, takim i ngrohët ishte edhe takimi me bashkatdhetarët tanë që jetojnë dhe veprojnë në Japoni.
Në këtë takim morën pjesë një numër i studentëve nga Kosova, të cilët përmes mbështetjes së qeverisë japoneze janë duke kryer studimet në Japoni.
Zëvendësministri Ahmeti duke ju uruar suksese në studimet dhe angazhimet e tyre, ka falënderuar studentët dhe bashkatdhetarët e tjerë për punën dhe përkushtimin e tyre në ruajtjen dhe kultivimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Japonisë.
Gjatë kësaj vizite në Tokio, zëvendësministri Ahmeti dhe delegacioni nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës janë shoqëruar nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në Japoni, z. Sabri Kiçmari.