Sot, në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, zëvendësministri Kreshnik Ahmeti priti në takim raportuesen për Kosovën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dora Bakoyannis, e cila po qëndron në Kosovë, në një vizitë fakt-mbledhëse, në kuadër të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës.
Z. Ahmeti njoftoi znj. Bakoyannis me përparimet e Republikës së Kosovës në të drejtat e njeriut, demokraci dhe sundim të ligjit, çështje të cilat janë shtylla bazë të parimeve dhe vlerave të Këshillit të Evropës. Ai theksoi faktin që në vitet e fundit Kosova ka shënuar progres të dukshëm në të drejtat politike dhe civile të qytetarëve të saj e po ashtu në reformat e sistemit të drejtësisë, në koordinim të ngushtë më Komisionin e Venedikut. Këto zhvillime kanë bërë që organizatat e pavarura ndërkombëtare të rendisin Republikën e Kosovës si vendin më demokratik në rajon dhe të parin për reformat në drejtësi dhe sundim të ligjit.
Gjithashtu, në takim u diskutua mbi kornizën kushtetuese dhe ligjore të Republikës së Kosovës, e cila është shembull për sa i përket të drejtave të komuniteteve pakicë. Z. Ahmeti njoftoi znj. Bakoyannis mbi themelimin e Grupit Ndërinstitucional për Anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, si dhe mbi punën e tij te deritanishme në analizimin dhe përpjekjet për adresimin e rekomandimeve të dala nga raportet e Këshillit të Evropës drejtuar institucioneve të Kosovës.
Zëvendësministri Ahmeti falënderoi raportuesen Bakoyannis për vizitën e saj dhe u shpreh i kënaqur me ritmin e progresit të procesit të anëtarësimit përbrenda Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Ai bëri thirrje që ky ritëm të vazhdojë, në mënyrë që Republika e Kosovës t’i bashkohet sa më parë Këshillit të Evropës dhe që qytetarët e saj të përfitojnë nga mekanizmat e kësaj organizate, me theks të veçantë nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Vizita fakt-mbledhëse e znj. Bakoyannis, si raportuese kryesore për përgatitjen e Opinionit për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, shënon një hap të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë. Kjo po ashtu i paraprinë vizitës së raportueseve nga dy Komitetet tjera përkatëse të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, znj. Azadeh Rojhan dhe znj. Béatrice Fresko-Rolfo, të cilat do të qëndrojnë në Kosovë në fillim të muajit dhjetor. Pas votimit të raportit të znj. Bakoyannis në njërën nga sesionet plenare të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ministrat e punëve të jashtme të vendeve anëtare vendosin për ta ftuar Republikën e Kosovës si anëtare të plotë në Këshillin e Evropës.