Gjatë takimit dhe konsultimeve politike u diskutua gjerësisht për situatën e sigurisë, bashkëpunimin dypalësh, integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike, si dhe zhvillimet e fundit politike në rajon. Palët theksuan rëndësinë e thellimit të dialogut politik dhe koordinimit të vazhdueshëm në çështje me interes të përbashkët.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua bashkëpunimit në shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira në luftën kundër dezinformimit, si një nga sfidat kryesore për sigurinë dhe stabilitetin demokratik në Evropë. Në këtë kontekst, u riafirmua gatishmëria për bashkëpunim të strukturuar dhe institucional.
Po ashtu, u diskutuan mundësitë për krijimin e platformave ekonomike dhe mekanizmave të bashkëpunimit për lidhjen e bizneseve të Kosovës dhe të Finlandës, me synim rritjen e tregtisë dhe investimeve dypalëshe.
Zëvendësministri Ahmeti theksoi domosdoshmërinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, duke u bazuar në opinionin e Asamblesë Parlamentare, si dhe nevojën për progres të merituar në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Të dyja palët u pajtuan për nevojën e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit dypalësh, duke vlerësuar se ekziston potencial i konsiderueshëm për avancim në fusha të shumta me interes të përbashkët.