Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Liza Gashi, mori pjesë në konferencën ndërkombëtare mbi dhunën seksuale të lidhur me konfliktin, me temën “Avancimi i të drejtave dhe ndryshimi i jetës për të mbijetuarit e dhunës seksuale në konflikt”, organizuar me rastin e 25-vjetorit të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës.
Në panelin me temën “Sinergjia ndërmjet OSHC-ve dhe institucioneve: nevojat dhe sfidat e të mbijetuarve”, zëvendësministrja Gashi theksoi përkushtimin e institucioneve të Kosovës për forcimin e drejtësisë dhe të llogaridhënies, si dhe mbështetjen për të mbijetuarit e dhunës seksuale të lidhur me konfliktin. Ajo vuri në dukje rëndësinë e ballafaqimit me të kaluarën dhe përkushtimin për drejtësinë transicionale, përmes pjesëmarrjes aktive të shoqërisë civile dhe të mbijetuarve.
“Republika e Kosovës e ka finalizuar dhe, njëherësh, e ka miratuar Strategjinë e parë Kombëtare për Drejtësinë Transicionale, duke sjellë zërat e të mbijetuarve në qendër të politikave tona,” deklaroi znj. Gashi. Ajo, gjithashtu, përmendi themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës, me synimin për t’i dokumentuar krimet dhe për të ofruar drejtësi dhe përmbyllje për të mbijetuarit.
Konferenca, e mbajtur në Prishtinë, mblodhi përfaqësues të institucioneve vendëse dhe ndërkombëtare, ekspertë globalë, të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës dhe avokatë të të drejtave të njeriut, të cilët ndanë ekspertizën dhe përvojën e tyre në përfaqësimin e zërave kryesorë në luftën kundër dhunës seksuale dhe përpjekjet humanitare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.