Flag_of_Kosovo

Uebfaqe zyrtare e Qeverisë së Republikës së Kosovës

Flag_of_Kosovo

Uebfaqe zyrtare e Qeverisë së Republikës së Kosovës

Search
Close this search box.
Ambasadat dhe Misionet Diplomatike të Republikës së Kosovës në botë
Ambasadat dhe Misionet Diplomatike të huaja në Republikën e Kosovës

Zëvendësministrja Gashi: Avancimi i rolit të mësuesit dhe institucionalizimi i gjuhës shqipe në diasporë, është i domosdoshëm

Ndaje këtë

Zëvendësministrja Gashi: Avancimi i rolit të mësuesit dhe institucionalizimi i gjuhës shqipe në diasporë, është i domosdoshëm

Në Tiranë u zhvillua Samiti i Tretë i Diasporës, me pjesëmarrjen e personaliteteve shtetërore dhe politike, përfaqësues të rajoneve italiane ku shtrihet komuniteti arbëresh, përfaqësues nga diaspora, akademikë, studiues, gazetarë dhe artistë, të cilët u bashkuan për të diskutuar koordinimin e aktiviteteve në dobi të zhvillimit të përbashkët të shqiptarëve në diasporë.

Republika e Kosovës në këtë Samit u përfaqësua nga Presidentja Vjosa Osmani, Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, si dhe Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi.

Në panelin me temën: “Politikat shtetërore në mbështetje të mësimdhënies së gjuhës shqipe në diasporë” u diskutua për mësimin plotësues të gjuhës shqipe, rolin e mësuesve, tekstet mësimore dhe unifikimin e tyre, platformën digjitale, kurrikulën dhe organizimet e përbashkëta për trajnimin dhe kualifikimin e mësuesve në diasporë, si dhe për rolin e mediave në përçimin e gjuhës shqipe tek brezat e rinjë të shqiptarëve në diasporë.

Në fjalën e saj, Zëvendësministrja Liza Gashi, duke folur për rëndësinë e kësaj teme dhe angazhimin institucional, përmendi disa nga prioritetet për mësimin plotësues të gjuhës shqipe në diasporë. Si hap shumë të rëndësishëm në këtë drejtim, Zëvendësministrja Gashi theksoi institucionalizimin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe në diasporë, digjitalizimin e teksteve mësimore, krijimin e një platforme digjitale me qëllim të mësimit dhe praktikimit të gjuhës shqipe, duke fuqizuar edhe rolin e mësimdhënësit përmes një marrëveshje të përbashkët për bashkëfinancimin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në mërgatë.

Me këtë rast, Zëvendësministrja Gashi theksoi se interesimi i nxënësve shqiptarë në diasporë do të ishte shumë më i madh nëse institucionalizohet dhe çertifikohet gjuha shqipe. Ajo gjithashtu foli edhe për rëndësinë e krijimit të kuadrove të reja që të bëhen pjesë e programeve intensive për mësimin plotësues në gjuhën shqipe dhe shprehu mirënjohjen për mësuesit në diasporë për punën e madhe që kanë bërë në baza vullnetare ndër vite.

Zëvendësministrja Gashi në mbyllje të fjalimit të saj theksoi nevojën e një plani të përbashkët rreth avancimit të mëtejmë të nismave konkrete që mbështeten nga të dyja palët për përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe përfshirjes së kuadrove të reja në diasporë.

Lajmet e tjera

|