Panama City, 21 tetor – Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, ka zhvilluar takime me kryetaren e Grupit të Miqësisë Kosovë – Panama dhe me nënkryetaren e Kuvendi të Panamasë, znj. Corina Eduarda Cano Cordoba, si dhe me sekretarin ekzekutiv të Parlamentit të Amerikës Latine (Parlatino), z. Elías Castillo.
Në takimin që zëvendësministrja Gashi pati me nënkryetaren e Kuvendit të Panamasë, znj. Cordoba, ishin të pranishëm edhe deputetët anëtarë të Grupit të Miqësisë së Kuvendit Panama- Kosovë, të cilët u shprehën të kënaqur që bashkëpunimi i Kosovës me Panamanë po zgjerohet edhe përmes diplomacisë parlamentare të të dyja vendeve.
Zëvendësministrja Gashi i informoi të pranishmit lidhur me situatën në Kosovë dhe angazhimin e ministrave të jashtëm për ta forcuar bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Panamasë. Gjithashtu u diskutua edhe rëndësia e rritjes së shkëmbimit në mes të deputeteve të të dyja vendeve, në mënyrë që të forcohet partneriteti përmes diplomacisë parlamentare.
Në takimin e zëvendësministres Gashi me sekretarin ekzekutiv të Parlamentit të Amerikës Latine u diskutua rreth mundësisë së bashkëpunimit më të afërt të Kosovës me këtë institucion, si dhe krijimin e urave për pjesëmarrjen e Kosovës në nismat e këtij institucioni, me ç’rast të dyja palët shprehën gatishmërinë për bashkëpunim.
Në këto takime u theksua se diplomacia parlamentare është një nga mjetet më të fuqishme për të ndihmuar ndërtimin e një bashkëpunimi të qëndrueshëm ndërmjet Kosovës dhe shteteve të Amerikës Latine, duke lejuar njohjen e pikëpamjeve të ndryshme dhe ndërtimin e besimit të ndërsjellë.