Flag_of_Kosovo

Uebfaqe zyrtare e Qeverisë së Republikës së Kosovës

Flag_of_Kosovo

Uebfaqe zyrtare e Qeverisë së Republikës së Kosovës

Search
Close this search box.
Ambasadat dhe Misionet Diplomatike të Republikës së Kosovës në botë
Ambasadat dhe Misionet Diplomatike të huaja në Republikën e Kosovës

Zëvendësministrja Gashi pjesë e konferencës “Gratë në politikën e jashtme” të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut

Ndaje këtë

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Liza Gashi, me ftesë të zëvendësministres të Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, znj. Fatmire Isaku, është duke marrë pjesë në konferencën “Gratë në politikën e jashtme” që po mbahet në Shkup, në të cilën po diskutohet për domosdoshmërinë e përfshirjes së grave në pozitat vendimmarrëse, roli i tyre në politikëbërje dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare si dhe çështje tjera me rëndësi ku roli i gruas duhet të forcohet.

Në fjalën e saj para të pranishmëve, zëvendësministrja Gashi e ka vlerësuar si tejet të rëndësishme këtë konferencë në të cilën po shkëmbehen përvoja dhe pikëpamje në lidhje me arritjet e përfaqësimit gjinor.

Zëvendësministrja Gashi tha se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar në avancimin e rolit të gruas në shoqëri, përkatësisht përfaqësimin e saj në pozita vendimmarrëse, gjë e cila ka reflektuar edhe në përbërjen e kabinetit qeveritar, ku gjashtë nga pesëmbëdhjetë ministri, udhëhiqen nga gratë, përfshirë Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Gratë në pozitat vendimmarrëse në Kosovë kanë dëshmuar se suksesi është i mundur pavarësisht gjinisë. Zëvendësministrja Gashi tha se, nga Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Osmani – Sadriu, deri tek korpusi i grave diplomate të suksesshme, Republika e Kosovës është identifikuar me shumë gra dhe vajza të reja të cilat përfaqësojnë fusha të ndryshme nga sporti, muzika, filmi e të cilat me suksesin e tyre kanë sjellë jo vetëm Kosovën, por të gjithë Ballkanin në hartën e botës.

Në mbyllje të fjalimit të saj, zëvendësministrja Gashi shtoi se nga pozita të cilën ajo e ushtron, prioritet ka krijimin e hapësirave nëpërmjet prioritizimit të diplomacisë qytetare në mënyrë që më shumë vajza dhe gra të jenë aktive në programet tona.

Lajmet e tjera

|