Flag_of_Kosovo

Uebfaqe zyrtare e Qeverisë së Republikës së Kosovës

Flag_of_Kosovo

Uebfaqe zyrtare e Qeverisë së Republikës së Kosovës

Search
Close this search box.
Ambasadat dhe Misionet Diplomatike të Republikës së Kosovës në botë
Ambasadat dhe Misionet Diplomatike të huaja në Republikën e Kosovës

Zëvendësministrja Gashi pret një delegacion nga Gjermania

Ndaje këtë

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Liza Gashi, ka pritur dje në takim një delegacion nga Gjermania, i përbërë nga z. Hartmut Ganzke, deputet i grupit parlamentar SPD-së në Parlamentin e Shtetëror të Rhine-Vestfalisë Veriore, z.Falk Heinrichs, ish-deputet, dhe z. Arber Aliu, anëtar i Asamblesë së qytetit të Fröndenberg/Ruhr.

Zëvendësministrja znj. Gashi e ka informuar delegacionin për objektivat kryesore të MPJD-së dhe për punën që po bëhet në fushën e diplomacisë publike, me fokus në atë qytetare. 

Në temën e ndërlidhjes dhe shkëmbimit të përvojave ndërmjet qytetarëve të të dyja shteteve, znj. Gashi theksoi se është e rëndësishme të vendoset bashkëpunimi në nivel lokal ndërmjet komunave.   Palët diskutuan që në fokus ta kenë binjakëzimin e qyteteve mes dy vendeve, në mënyrë që të nxitin marrëdhënie të dobishme mes vetë qytetarëve të të dyja vendeve.

Zëvendësministrja znj. Gashi,  po ashtu, i informoi ata rreth disa iniciativave në kuadër të diplomacisë publike dhe asaj qytetare. Prioritet i MPJD-së është ideja që çdo qytetar i Republikës sonë është diplomat që e reprezenton vendin në botë. Iniciativat, përmes të cilave qytetarët e Republikës formojnë lidhje me anëtarët e diasporës, janë të rëndësishme në këtë aspekt, për shkak të ndarjes së ideve, përvojave dhe aftësive mes tyre. Presim që këto lidhje të vazhdojnë në iniciativa të ndryshme që forcojnë zërin e Republikës përmes aktivizimit të diasporës sonë e qytetarëve tanë. 

Programi për diplomaci qytetare është vetëm një nga projektet që u diskutua – dhjetë profesionistë të rinj nga diaspora u përzgjodhën  të vendosen në Kosovë,  në zyrat e MPJD-së, për të punuar për një periudhë gjashtëmujore.  Ky projekt jo vetëm që do të jetë një hap i dobishëm në transferin e dijes, por edhe do të forcojë lidhjen e profesionistëve nga diaspora me kulturën, historinë e politikat e Republikës sonë. Po ashtu, përmes aktiviteteve,  pjesëmarrësit e programit do të kenë mundësinë e rrjetëzimit me profesionistë të fushave të ndryshme në Kosovë.

Zëvendësministrja znj. Gashi ka thënë se qeveria është jashtëzakonisht e përkushtuar në  realizimin e objektivave që lidhen me reformën në drejtësi e sundimin e ligjit në veçanti, tema që lidhen direkt me përpjekjet për liberalizimin e vizave dhe angazhimet e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Në këtë kontekst, ajo foli për punën e bërë deri tani nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. 

Delegacioni gjerman e falënderoi zëvendësministren znj.Gashi për pritjen, duke thënë se janë të mahnitur me vullnetin dhe punën e Kosovës për integrimet evropiane. Ata shprehën mbështetjen e tyre për Kosovën  në procesin e liberalizimit dhe të anëtarësimit në Këshillin Evropian.

Lajmet e tjera

|