Në fjalën e saj para të pranishmëve, ajo falënderoi Ambasadën e Republikës së Kosovës në Tokio dhe JOI-në për mbështetjen në organizimin e këtij seminari, duke vlerësuar rolin e rëndësishëm të këtyre takimeve për prezantimin e potencialit ekonomik të Kosovës. Zëvendësministrja Liza Gashi theksoi mundësitë e shumta për investime dhe shprehu interesin për forcimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Japonisë, duke vënë në pah rëndësinë e krijimit të bazave për një bashkëpunim të frytshëm dhe të qëndrueshëm.
Në prani të përfaqësuesve të komunitetit të biznesit, zëvendësministrja Gashi prezantoi potencialin ekonomik të vendit dhe mundësitë për investime në sektorë të ndryshëm, duke përfshirë teknologjinë e informacionit, energjinë e ripërtëritshme, turizmin, infrastrukturën dhe bujqësinë. Ajo tha se Kosova ka një popullsi të re dhe të talentuar, e cila përbën një fuqi punëtore të kualifikuar dhe të përgatitur për t’i përmbushur kërkesat e tregut modern.
Zëvendësministrja Gashi i ftoi investitorët japonezë të investojnë në Kosovë, duke nënvizuar përparësitë që ofron vendi ynë për zhvillimin e biznesit. Gjithashtu, ajo prezantoi platformën “Made in Kosova” (MiK), e cila synon t’i promovojë produktet dhe shërbimet e vendit në tregjet ndërkombëtare dhe t’i inkurajojë investimet e huaja, duke krijuar mundësi të reja për eksport.
Në përmbyllje, zëvendësministrja Gashi vlerësoi rëndësinë e seminarit dhe të aktiviteteve të ngjashme për krijimin e kontakteve të reja dhe urave të bashkëpunimit, jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe në atë diplomatik, kulturor dhe tregtar.