Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Liza Gashi, bashkë me ministrin e Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, Dr. Rifat Latifi, në konferencën e mbajtur për media, pas mbledhjes së Qeverisë ka thënë se në kuadër të planit qeverisës për angazhimin e diasporës në institucionet e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të Qeverisë janë marrë dy vendime të rëndësishme që hapin dyert për angazhimin e pjesëtarëve të diasporës në sektorin e shëndetësisë.
E para është heqja e lejeve të përkohshme të punës për profesionistët shëndetësorë nga mërgata që janë të interesuar të angazhohen në kuadër të sistemit mjekësor në Kosovë dhe e dyta ka të bëjë me aprovimin e udhëzuesit për angazhimin e profesionistëve të huaj shëndetësor në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë.


Zëvendësministrja Gashi, ka thënë se të dy këto vendime janë marrë në kuadër të bashkëpunimit të ngushtë mes Ministrive të linjës, që kanë për qëllim transferin e dijes, njohurive dhe eksperiencës së profesionistëve, të cilët luajnë një rol shumë të rëndësishëm në përmirësimin e gjendjes në të cilën ndodhet shëndetësia në vend.
Në kuadër të politikave të ndërmarra për transferin e dijës, zëvendësministrja Gashi theksoi se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në muajin korrik po ashtu ka lansuar edhe programin për angazhimin e profesionistëve nga diaspora në kuadër të strategjisë për diplomaci publike.
Me iniciativa të tilla, ajo shtoi, se Qeveria synon të krijoj module specifike për angazhimin e tyre, lehtësim ky i cili ka të bëjë me largimin e barrierave administrative sepse Kosova nuk do të duhej të ketë barriera të tilla për pjesëtarët e diasporës.