San-Jose, 18 tetor 2023 – Në kuadër të vizitës zyrtare në Kosta-Rikë, zëvendësministrja Gashi, bashkë me delegacionin nga Republika e Kosovës, ka marrë pjesë në seancën e Komisionit për Politikë të Jashtme të Kuvendit të Kosta-Rikës.
Këtë seancë e ka hapur me fjalë përshëndetëse kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme, z. Luis Fernando Mendoza Jimenez, i cili fillimisht ka përshëndetur vizitën e zëvendësministres Gashi, duke theksuar raportet shumë të mira ndërmjet dy shteteve, si dhe nevojën e mundësinë që këto marrëdhënie të thellohen dhe të zgjerohen edhe më shumë.
Deputetëve të Kuvendit të Kosta-Rikës i është drejtuar me një fjalë përshëndetëse edhe zëvendësministrja Gashi. Pasi bëri një përshkrim të raporteve në mes të dy shteteve, zv.ministrja Gashi foli për mundësitë e shumta të bashkëpunimit dypalësh.
Në kuadër të kësaj seance, po ashtu u inicua mocioni për themelim të Grupit të Miqësisë me Kosovën, i cili u miratua me votë unanime nga deputetët e pranishëm në komision.
Në mbyllje të kësaj seance u hap diskutimi për të gjithë të pranishmit në seancë, të cilët diskutuan për raportet e Kosta-Rikës me Kosovën, si dhe për zgjerimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi. Deputetët i ka përshëndetur me një fjalë rasti edhe ambasadorja jorezidente e Republikës së Kosovës në Kosta-Rikë, znj.Heroina Telaku.