Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Liza Gashi, gjatë vizitës në Itali ku qëndroi për lansimin e iniciativës “Kosova Country Presentation”, e shoqëruar nga ambasadorja e Republikës së Kosovës në Itali, znj. Lendita Haxhitasim, u takua edhe me nënsekretaren italiane për Punë të Jashtme, znj. Maria Tripodi, me të cilën diskutoi për ecurinë pozitive të marrëdhënieve mes dy vendeve, veçanërisht intensifikimin e bashkëpunimit në fushën e diasporës, ekonomisë dhe kulturës përmes inciativave konkrete, si forumi i biznesit që pritet të mbahet në Prishtinë.
Në takim me nënsekretaren znj. Tripodi, zëvendësministrja Gashi shprehu mirënjohjen për angazhimin dhe përkrahjen që ka dhënë Italia në përpjekjet e suksesshme për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës. Ajo, njëherësh, bëri thirrje për mbështetje edhe në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe në mekanizma të tjerë ndërkombëtarë.
Ndër të tjera, në këtë takim u diskutua për arritjen e marrëveshjeve konkrete në fushën e kulturës dhe të sigurisë, si dhe konvertimin e patentëshoferëve, që do të ishte një lehtësim për qytetarët e të dyja vendeve.
Nga ana tjetër, nënsekretarja italiane e Punëve të Jashtme, Tripodi, e ka siguruar zëvendësministren Gashi për intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe, duke thënë se Italia do të jetë përkrahëse aktive e Kosovës, me të cilën gëzon miqësi të ngushtë dhe të qëndrueshme.
Në zbatim të objektivit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për fuqizimin e diplomacisë ekonomike, prezantimi i shtetit të Kosovës në Itali i paraprin Forumit Ekononik Biznesor Kosovë-Itali, që do të mbahet në tetor të vitit 2023, i cili ka për synim primar rritjen ekonomike të punësimit, zhvillimin dhe mirëqenien.