Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Liza Gashi, ka pritur sot në takim një grup të studentëve nga Universiteti Kehl të cilët po qëndrojnë në Kosovë për një vizitë studimore.
Në takim studentët shprehën interes për të kuptuar angazhimin dhe punën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, proceset nëpër të cilat po kalon Republika e Kosovës dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet vendi ynë sa i përket proceseve integruese.
Gjatë bashkëbisedimit me studentët, zëvendësministrja Gashi prezantoi një historik të shkurtër të vendit, proceseve dhe fazave të shtet-ndërtimit të Republikës së Kosovës si dhe i informoi ata me prioritetet të cilat i ka para vetës Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, veçanërisht rolin e saj në rrugën drejt integrimit të Kosovës në BE dhe mekanizma të tjerë ndërkombëtar.
Në takim u diskutuan edhe aspektet e marrëdhënieve diplomatike me vendet të cilat e kanë njohur Republikën e Kosovës si dhe angazhimi i MPJD për vendosjen e marrëdhënieve të reja diplomatike. Kosova, tha zëvendësministrja Gashi, ka dëshmuar të jetë një vend partner për paqe dhe stabilitet në rajon si dhe partnere euro-atlantike në proceset e rëndësishme globale. Ajo foli edhe për rolin që ka luajtur diaspora në zhvillimin ekonomik, social dhe politik të Kosovës.
Në takim u diskutua për mundësit për thellim të bashkëpunimit në fushën e edukimit të lartë me fokus tek shkëmbimin i studentëve dhe krijimi i përvojave të reja përmes vizitave studimore në Kosovë.