Më 8 maj 2025, në Prishtinë, nën udhëheqjen e Drejtorit të Departamentit për Evropë, BE dhe Rajon të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporë së Republikës së Kosovës, z. Mentor Tahiri dhe Drejtoreshës së Departamentit për Politikë Evropiane të Ministrisë së Jashtme të Republikës së Polonisë, Znj. Agnieszka Kowalska u mbajtën konsultimet politike ndërmjet të dyja vendeve.
Këto konsultime u zhvilluan në kuadër të thellimit të bashkëpunimit bilateral dhe shkëmbimit të qëndrimeve mbi zhvillimet në Evropë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor. Delegacionet diskutuan për marrëdhëniet dypalëshe, integrimin evropian të Kosovës, zhvillimet në rajon, bashkëpunimin në kuadër të organizatave ndërkombëtare, si dhe përkrahjen e vazhdueshme që Polonia i ofron Kosovës në proceset integruese dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar.
Të dyja palët riafirmuan përkushtimin për bashkëpunim të mëtejshëm në fusha me interes të përbashkët, me fokus në procesin e integrimit evropian të Kosovës, zhvillimet politike dhe të sigurisë në kontinent, dhe avancimin e bashkëpunimit ekonomik dhe bilateral ndërmjet dy vendeve mike.
Për nder të delegacionit nga Polonia, Zëvendësministri z.Kreshnik Ahmeti shtroi një drekë pune.
Konsultimet u vlerësuan si të suksesshme dhe u dakordua vazhdimi i tyre në baza të rregullta.