580 - Politika | Ministria e Puneve te Jashtme

Procesi i Berlinit


Procesi i Berlinit është një iniciativë që synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe ndihmon integrimin e këtyre shteteve në Bashkimin Evropian. Ajo u lansua në 28 Gusht 2014, nga Kancelarja Gjermane Angela Merkel.

Qëllimet e Procesit u përshkruan në Deklaratën politike të Kryesimit Gjerman: "Të bëjmë progres shtesë real në procesin e reformës, në zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura bilaterale dhe të brendshme dhe në arritjen e pajtimit brenda dhe midis shoqërive në rajon", si  dhe për të rritur "bashkëpunimin ekonomik rajonal dhe vendosjen e bazave për një rritje ekonomike të qëndrueshme".

Procesi i Berlinit zhvillohet me mbështetjen e Komisionit Evropian, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe shteteve anëtare të përfshira në këtë proces - Austria, Kroacia, Franca, Gjermania, Italia, Sllovenia dhe Mbretëria e Bashkuar. Kjo inicijativë plotëson procesin institucional të integrimit në BE të vendeve individuale, bazuar në miratimin e acquis communautaire.

Axhenda e konektivitetit ose lidhshmerise së Procesit i referohet lidhjes së njerëzve (dimensioni shoqëror), ekonomive (dimensioni ekonomik) dhe shteteve (dimensioni politik) te rajonit. Brenda kësaj agjende, Procesi deri më tani ka prodhuar nisma dhe projekte në fushat e transportit dhe infrastrukturës, lidhjes ekonomike, bashkëpunimit të të rinjve dhe bashkëpunimit midis bizneseve dhe midis shoqërive civile të Ballkanit Perëndimor. Ajo gjithashtu frymëzoi bashkëpunimin ndërqeveritar përmes nismave të ngritura gjatë veprimit të saj: Zyra Rajonale e Bashkëpunimit Rinor (RYCO), Forumi i Investimeve dhe Odave ekonomike të Ballkanit Perëndimor (WBCIF) si dhe Fondi i Ballkanit Perëndimor (WBF).

Krahas takimeve të zyrtarëve më të lartë qeveritarë (Seria e Samiteve të Ballkanit Perëndimor), Procesi i Berlinit përfshin takimet e përfaqësuesve të organizatave rajonale të shoqërisë civile (Forumi i Shoqërisë Civile të Samiteve të Ballkanit Perëndimor), organizatat rinore (Forumet Rinore) dhe shoqatat e biznesit (Forumet i biznesit).

Procesi i Berlinit filloi me Konferencën e Berlinit ne vitin 2014, e cila u pasua nga Samiti i Vjenës 2015, Samiti i Parisit 2016, Samiti i Triestes 2017, Samiti i Londrës 2018, Samiti i Poznanit 2019 dhe Samiti i Sofjes 2020.

Nisma përfshin gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor që janë kandidatë për anëtarësim në BE (Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut, Shqipëria) ose kandidatë të mundshëm (Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë), disa anëtarë të BE-së, dmth: Gjermania, Italia, Polonia dhe Sllovenia dhe Mbretëria e Bashkuar.

Presidenca e vitit 2020 u mbajt bashkërisht nga Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut. Këtë vit 2021, Presidencën e mban Gjermania.