3776 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • SHARE
  • PRINT

Hapet Konsullata e Përgjithshme edhe në Hamburg

 

Hamburg, 15 dhjetor 2019 – Në Hamburg, qytetin e dytë gjerman për nga madhësia (pas Berlinit), të shtunën në mbrëmje, me ceremoni solemne është hapur Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës.

Në praninë e të ftuarve gjermanë dhe bashkëkombasve që jetojnë në Gjermani, hapja e Konsullatës u bë nga Zëvendëskryeministri i Parë i Republikës së Kosovës, njëherësh Ministër i Punëve të Jashtme, z.Behgjet Pacolli, ambasadori i Republikës së Kosovës në Berlin, z.Beqë Cufaj dhe konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Hamburg, z.Gramos Begolli.

“Jam shumë i lumtur që jemi duke përuruar Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Hamburg, me qëllim forcimin e marrëdhënieve të Kosovës me Gjermaninë, ofrimin e shërbimeve më të mira dhe efektive konsullore për diasporën tonë që jeton në zonën përreth Hamburgut dhe Gjermanisë veriore dhe me synim që të promovojmë marrëdhënie ekonomike dhe tregtare”, tha ministri Pacolli.

Shefi i diplomacisë nënvizoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për diasporën, duke kujtuar se Konsullata e Përgjithshme në Hamburg është e dyta konsullatë e Republikës së Kosovës e cila hapet brenda pak ditësh në shtetin gjerman, pas asaj në Dusseldorf.

Ministri i Punëve të Jashtme tha po ashtu se kjo qasje proaktive e Republikës së Kosovës synon zgjerimin e rrjetit diplomatik dhe konsullor si dhe qëndrimin sa më afër diasporës kosovare kudo që ajo ndodhet.

Aktualisht Republika e Kosovës përfaqësohet në Gjermani përmes Ambasadës së saj në Berlin dhe Konsullatave të Përgjithshme që ndodhen në Hamburg, Dusseldorf, Stuttgart, Mynih dhe Frankfurt.

Foto Galeria