3780 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • SHARE
  • PRINT

Akademia Diplomatike përmbyll trajnimin për diplomatët e rinj

Prishtinë, 19 dhjetor 2019 – Sot ka përfunduar trajnimi tre mujor për Diplomatët e Rinj dhe zyrtarët publikë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, i cili është organizuar nga Akademia Diplomatike e Republikës së Kosovës dhe kishte për qëllim ngritjen e kapaciteteve profesionale në fushën e politikës së jashtme dhe diplomacisë përpara se të angazhohen në misionet përkatëse diplomatike dhe konsullore të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës.

Në ceremoninë e certifikimit, Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Diplomatike, z.Fatmir Haxholli, duke uruar pjesëmarrësit e trajnimit, falënderoi të gjithë të pranishmit për kontributin dhe përkrahje e dhënë në organizimin dhe mbarëvajtjen e këtij trajnimi.

“Ky është një trajnim i rëndësishëm, meqë programi nëpër të cilin kaluan diplomatët e rinj ishte rezultat i konsultimeve brenda Ministrisë, sugjerimeve prej akterëve të ndryshëm, duke përfshirë edhe shoqërinë civile, pastaj konsultimeve me njohës të zhvillimeve në politikën e jashtme dhe diplomaci, si dhe është i bazuar edhe te modelet e shumta të Akademive të vendeve të zhvilluara e demokratike”, tha Haxholli.

Ndër tjerash, ai përmendi faktin se mbi gjashtëdhjetë ligjërues ndanë përvojën e tyre disa vjeçare me diplomatët e rinj gjatë këtyre tetëmbëdhjete ditëve të trajnimit.

Gjithashtu, në emër të Drejtorisë së Përgjithshme, të pranishmit i përshëndeti ambasadori, z.Lulzim Hiseni, i cili i uroi diplomatët e rinj për përfundimin me sukses të trajnimit dhe theksoi mbështetjen e për aktivitetet të cilat shërbejnë për ngritjen e kapaciteteve të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

“Të gjithë pjesëmarrësve të këtij trajnimi ju uroj suksese në punën e tyre si përfaqësues të Kosovës. Aktivitete të tilla që kanë karakter të ngritjes profesionale janë shumë të mirëseardhura, meqë shërbejnë për një përfaqësim sa më dinjitoz të diplomatëve tanë nëpër misionet e tyre”, tha mes tjerash, z. Hiseni.

Në fjalën e tij, profesori i të drejtës ndërkombëtare z.Robert Muharremi, i cili ishte ligjërues gjatë këtij trajnimi, duke uruar diplomatët e rinj për punët të cilat i presin gjatë angazhimit të tyre në misionet diplomatike dhe konsullore, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe organizimit të trajnimeve për diplomatë dhe zyrtarë publik.

“Ishte kënaqësi e veçantë të bashkëbisedoja me ju si diplomatë të rinj të shtetit tonë. Shpresoj qe sado pak të kem dhënë kontributin tim profesional në punët që do ju presin në të ardhmen”, theksoi në fjalën e tij, z. Muharremi.

Nga një fjalë rasti në emër të pjesëmarrësve mbajtën edhe diplomatët e rinj, znj. Mirlindë Gashi dhe z. Dren Terziqi, të cilët falënderuan Akademinë Diplomatike për organizimin dhe të gjithë ligjëruesit për kontributin e tyre gjatë ditëve të trajnimit.

Foto Galeria