3782 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • SHARE
  • PRINT

Ministri i Jashtmë Pacolli u dekorua nga Presidenti Meta me Dekoratën “Nënë Tereza”

Tiranë, 27 dhjetor 2019 – Zëvendës/Kryeministri i Parë i Republikës së Kosovës, njëherësh Ministër i Punëve të Jashtme, z.Behgjet Pacolli, është dekoruar të premten me Dekoratën “Nënë Tereza”, nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z.Ilir Meta.


Presidenti Shqiptar, në ceremoninë e organizuar në Tiranë, i dorëzoi zotit Pacolli Dekoratën e lartë “Nënë Tereza” me motivacionin: “Për angazhimin dhe ndjeshmërinë e lartë personale dhe familjare, treguar ndaj popullit të Thumanës dhe mbarë Shqipërisë, si gjithë populli dhe shteti i Kosovës, duke nxitur një zinxhir solidariteti kombëtar të pashembullt pas tërmetit të 26 nëntorit 2019. Për kontributin e tij të vazhdueshëm humanitar në rrafsh kombëtar dhe ndërkombëtar”.

Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, Presidenti Meta u shpreh ndër të tjera se zoti Pacolli është një personalitet i shquar, që gjithçka e ka arritur vetë në jetën e tij falë përpjekjeve, studimeve dhe sfidave të panumërta me të cilat ai është ndeshur.

“Dhe jo vetëm ka arritur të dallojë dhe shkëlqejë në fushat e biznesit, të ekonomisë, të sipërmarrjes, por gjithashtu ajo që e bën atë të veçantë dhe mbi të gjitha, që e bën edhe të dashur për njerëzit, është pikërisht angazhimi i tij i pareshtur për dekada në aktivitetin humanitar, në shërbim të paqes, po kështu për krijimin e një imazhi të dalluar dhe pozitiv të shqiptarit në botë, jo vetëm si një sipërmarrës i suksesshëm, por edhe si një njeri i jashtëzakonshëm dhe me zemër të madhe”, tha Presidenti Meta.

Presidenti Shiptar tha se si një njeri i tillë mjaft bujar, z. Pacolli ka një veprimtari tejet frymëzuese humanitare. Kujtojmë këtu krijimin e fondacioneve për jetimët, refugjatët, në ndihmë të studentëve, në asistencën ndaj njerëzve në nevojë, ndërtimin e shtëpive për të varfrit, sponsorizimet në fushën e artit, kulturës dhe të sportit, dërgimi i dhjetëra pacientëve të Kosovës jashtë vendit për trajtim mjekësor e kështu me radhë.

Nga ana e tij, Ministri i Jashtmë, z.Pacolli, tha se është thellësisht i prekur nga ceremonia që Presidenti i Shqipërisë Meta organizoi për dekorimin e tij me Urdhërin e lartë “Nënë Tereza”.

Ai tha se kjo dekoratë i takon mbarë popullit të Kosovës, qytetarëve të saj, dhe posaçërisht pensionistit që dhuroi pensionin e tij të vogël për vëllezërit e vet të Shqipërisë. “Unë, vëllazerit e mi, fëmijët, bashkëshortja ime, familja ime jemi thjesht personifikimi i ndihmës dhe solidaritetit të gjysmës për gjysmën tonë kombëtare”.

Kujtojmë se pas pasojave të rënda të shkaktuara nga tërmeti i rëndë i 26 nëntorit që goditi Shqipërinë, Ministri Pacolli shpalosi menjëherë një ndjeshmëri të lartë jo vetëm institucionale, por edhe personale dhe familjare, si pjesë e të gjithë popullit dhe shtetit të Kosovës, ndaj popullit shqiptar e në veçanti ndaj popullatës më të goditur rëndë, asaj të Thumanës, duke dhënë kontributin e tij të menjëhershëm në interes të rindërtimit të zonave të prekura dhe njëherësh duke i dhënë në këtë mënyrë një nxitje të mëtejshme gjithë atij solidariteti mbarëshqiptar.

 

Foto Galeria