3955 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • SHARE
  • PRINT

“Home...” pjesë e forumit prestigjioz të kinematografisë

Prishtinë, 13 korrik 2020 - Dokumentarët që vitin e kaluar ishin pjesë e program “Baltic Sea Docs Forum” bënë bujë në kinematografi. Në mesin e tyre ishte edhe dokumentari “Honeyland” i Tamara Kotevska dhe Ljubomir Stefanov. Propozimi i Maqedonisë për “Oscar” u bë dokumentari i parë që në këtë garë u nominua në kategorinë “Best International Feature Film” dhe “Best Documentary Feature”. Në qendër të rrëfimit është Hatixhe Muratova, një nga bletaret e fundit në Evropë që mbledh mjaltë në natyrë. Përfitues i këtij programi vjet ishte edhe fituesi i sivjetshëm i çmimit “BAFTA” për dokumentarin me të mirë -“For Sama” me regji të Waad Al-Kateab dhe Edward Watts. Filmi është një dokumentim pesëvjeçar i jetës së një gruaje gjatë luftës. Këtë vit, në këtë program figuron emri i një dokumentari nga Kosova. Në mesin e 24 projekteve filmike është edhe “Home is where the films are” i regjisores More Raça. Filmi, po ashtu, është në garë për katër çmime. Programi do të mbahet online nga 1 deri më 6 shtator. "Home is where the films are", i cili është në fazën e zhvillimit, dokumenton një histori goxha intriguese. Pas 20 vjetëve disa fëmijë tashmë të rritur vihen në kërkim të filmbërësve amerikanë. Synimi i tyre është që t’i gjejnë njerëzit që i kanë vënë në kontakt me kinematografinë gjatë luftës së fundit në Kosovë kur qëndronin në kampin e Stenkovec të Maqedonisë së Veriut. “The Baltic Sea Forum” për herë të parë është mbajtur në vitin 1997 në Danimarkë dhe ishte një iniciativë e cila përfshinte vendet Baltike, Poloninë dhe pjesën perëndimore të Rusisë. “Kjo ngjarje ndërkombëtare dedikuar kineastëve profesionistë çdo vit bën bashkë më shumë se 100 filmbërës profesionistë nga Deti Baltik, si dhe nga Evropa Lindore dhe ajo Qendrore. Pjesëmarrja në forum është një mundësi e artë për kineastët që të gjejnë fonde për realizimin e projekteve të tyre”, është përshkrimi për këtë projekt në faqen zyrtare. Regjisorja More Raça ka thënë se pjesëmarrja në këtë ngjarje i mundëson që të gjejë fonde për realizimin e projektit të saj. Në të njëjtën kohë, sipas saj, kjo është edhe një mundësi e mirë për bashkëpunime dhe një mundësi që filmi i saj të arrijë te një audiencë më e gjerë në të ardhmen.“’Home is where the films are’ është përzgjedhur në programin e industrisë dhe përveç punës me mentorët evropianë më eminentë të filmit dokumentar dhe takimeve me ekspertë, financues, producentë dhe distributorë, projekti garon edhe për çmimet e industrisë, siç janë: ‘Baltic Sea Docs Award’, ‘Marketing Campaign’, ‘Consultancy Prize’ dhe ‘Postproduction Award’”, ka thënë Raça.

Burimi: https://www.koha.net/kulture/229271/home-pjese-e-forumit-prestigjioz-te-kinematografise/

Foto Galeria