4292 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • SHARE
  • PRINT

Kosova dhe Izraeli vendosën marrëdhëniet diplomatike mes dy shteteve

2 Shkurt 2021

 

Republika e Kosovës dhe Shteti i Izraelit vendosën dje marrëdhëniet diplomatike mes dy shteteve.

Shteti i Izraelit dhe Republika e Kosovës vendosën dje marrëdhëniet diplomatike mes dy shteteve, duke nënshkruar deklaratën e përbashkët si dhe dy memorandume, për konsultime politike dhe për bashkëpunim zhvillimor.

Ky akt historik në marrëdhëniet midis dy shteteve u realizua përmes një ceremonie virtuale, ku Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Znj.Meliza Haradinaj-Stublla dhe Ministri i Jashtëm i Izraelit, z.Gabriel Ashkenazi, nënshkruan marrëveshjen për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy shteteve në nivel Ambasadorësh.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj.Meliza Haradinaj-Stublla, tha se vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin hap një etapë të re historike mes dy shteteve.

“Në këtë ditë të rëndësishme ne hapim një kapitull të ri në lidhjen historike ndërmjet vendeve tona, të cilat janë sfiduar për të ekzistuar si popuj dhe si shtete. Shtetet tona kanë qëndruar pranë njëri-tjetrit në momentet më të vështira dhe sot fillojmë një udhëtim si dy shtete”, u shpreh shefja e diplomacisë kosovare.  Ajo ftoi gjithashtu kompanitë Izraelite të vizitojnë Kosovën dhe të hedhin hapat e para për tërheqjen e investimeve izraelite në vend.

Ministri i Jashtëm i Izraelit, z.Gabriel Ashkenazi, tha se vendosja e marrëdhënieve diplomatike në mes të Izraelit dhe Kosovës është një hap shumë i rëndësishëm, emocionues dhe historik.

“Sot po bëjmë histori. Po vendosim marrëdhënie diplomatike ndërmjet Izraelit dhe Kosovës, një moment që është pritur nga shumëkush. Kjo është hera e parë që marrëdhëniet diplomatike po vendosen në mënyrë virtuale. Sot ne kemi mundësi që të rrisim bashkëpunimin me popullin e Kosovës, me të cilin kemi marrëdhënie të ngrohta dhe miqësore”, u shpreh shefi i diplomacisë izraelite.

Ministrja Haradinaj-Stublla shprehu falënderim të veçantë për mbështetjen bipartizane ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që kanë bërë të mundur arritjen e kësaj marrëveshje, si mbështetëse e madhe e forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe duke qenë po ashtu aleate e madhe e të dyja vendeve.

Foto Galeria