4413 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • SHARE
  • PRINT

Zëvendësministrja Gashi në Konventën e Biznesit të Diasporës, zotohet për përkrahje institucionale

Prishtinë, 2 korrik 2021 - Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Liza Gashi, ka marrë pjesë sot në Konventën e Biznesit të Diasporës në Kosovë, në panelin e organizuar mbi Diplomacisë Komerciale.

Në fjalën e saj zëvendësministrja Gashi ka shprehur gatishmërinë e MPJD-së për të ndihmuar, përkrahur dhe bashkërenduar aktivitetet me rrjetet e bizneseve shqiptare kudo në diasporë.

Gashi ka thënë se ambasadat, misionet diplomatike të Republikës së Kosovës, që ndodhen nëpër botë, janë të gatshme për të hapur dyert për bizneset e diasporës, dhe që bashkë të dakordohen për rrugët që shpijnë drejt diplomacisë komerciale dhe zhvillimit.

“Të gjitha bizneset, derë të parë duhet të kenë ambasadat dhe misionet tona nëpër botë, dhe përmes tyre do të krijohet lidhja ku ne mund të ndihmojmë dhe shtyjmë përpara çështjet” është shprehur zëvendësministrja.

Gashi ka kërkuar nga bizneset unitet dhe tejkalim të interesave të caktuara në mënyrë që  ndihma ndaj tyre të jetë lehtë e qasshme dhe e barabartë.

Ajo ka theksuar se pret nga Rrjeti i Bizneseve që të jenë pjesë esenciale e diplomacisë ekonomike.

“Unë kërkoj unitet mes bizneseve shqiptare, përfaqësim, koordinim. Dhe këtë, ju lutem ta merrni si një ftesë për bashkëpunim. Ngase, qëllimi ynë është ofrimi i ndihmës shtetërore përmes një strategjie që është koordinuese dhe përparimtare” ka theksuar Gashi.

Si përfundim zëvendësministrja e Jashtme ka përmendur edhe angazhimin që përmes Akademisë Diplomatike të trajnohen diplomatët në fushën përkatëse për diplomaci ekonomike.

Foto Galeria