4457 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • SHARE
  • PRINT

Zëvendësministri Ahmeti priti ambasadoren Ifkovits Horner, drejtoreshë e Departamentit për Euroazi në Ministrinë e Jashtme të Zvicrës


Prishtinë, 2 shtator 2021 - Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Republikës së Kosovës, z.Kreshnik Ahmeti, të enjten priti në takim drejtoreshën e Departamentit për Euroazi të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Zvicrës, ambasadoren Anna Ifkovits Horner. 

Vizita e ambasadores Ifkovits Horner në Republikën e Kosovës realizohet në kuadër të konsultimeve politike mes të dyja vendeve. Pas konsultimeve të frytshme mes diplomatëve tanë, në takimin e sotëm u diskutua mbi prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe mundësitë e bashkëpunimeve të reja në kuadër të këtyre prioriteteve. 

Zëvendësministri Ahmeti e falënderoi ambasadoren Ifkovits Horner për ndihmën që Zvicra ka dhënë historikisht për Kosovën dhe për bashkëpunimin e ngushtë që ekziston aktualisht. Ai theksoi se të dyja vendet kanë shumë të përbashkëta, por mbi të gjitha qëndron diaspora jonë në Zvicër, e cila gjeti mikpritjen e këtij vendi dhe tani kontribuon në ekonominë dhe shoqërinë zvicerane. 

Znj. Ifkovits Horner ishte e interesuar mbi proceset politike e ekonomike në vend, dhe mbi të drejtat e komuniteteve pakicë. Lidhur më këtë, Z. Ahmeti e informoi se Qeveria aktuale është ndërtuar mbi dy shtylla programatike: punë dhe drejtësi dhe hapat e parë tashmë janë ndërmarrë për realizimin edhe të këtyre zotimeve. Gjithashtu, ai theksoi se Republika e Kosovës është shtet shembullor për trajtimin e pakicave kombëtare dhe si rast do të mund t’i shërbente edhe vendeve të tjera. 

Duke i uruar ambasadores Ifkovits Horner dhe delegacionit të saj vizitë të suksesshme, zëvendësministri Ahmeti u shpreh i gatshëm për t’u angazhuar edhe më shumë në thellimin dhe zgjerimin e raporteve mes Kosovës dhe Zvicrës. ​


 

Foto Galeria