4499 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • SHARE
  • PRINT

Ministrja Gërvalla takon krerët e Shtetit të Kuvajtit, nënshkruan memorandum mirëkuptimi në fushën e diplomacisë

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, qëndroi sot për vizitë zyrtare në Kuvajt, ku u takua me krerët më të lartë shtetëror të këtij vendi. Në kuadër të kësaj vizite u nënshkrua edhe memorandumi i mirëkuptimit mes Kosovës dhe Kuvajtit.

 

Takimi me Zëvendësemirin, Princi e Kurorës, z. Mishal Al-Ahmad Al-Jaber Al-Sabah

Fillimisht ministrja Gërvalla e falënderoi Zëvendësemirin për mikpritjen e ngrohtë të Kuvajtit dhe mbështetjen e qëndrueshme dhënë Kosovës në konsolidimin e pozitës ndërkombëtare të saj, si dhe ndihmat e dhëna në fusha të ndryshme për zhvillimin e Kosovës.

Duke vënë në pah ambientin e përshtatshëm politik dhe mundësitë që ofron Kosova për investime të bizneseve të shtetit të Kuvajtit, Gërvalla theksoi se Kosova ka një popullsi shumë të re për nga mosha, të edukuar mirë dhe të përgatitur për tregun e punës, gjë që krijon mundësi për zhvillimin e bizneseve.

Shkëlqesia e tij, Zëvendësemiri siguroi  vazhdimin e mbështetjes politike dhe ekonomike të Kuvajtit për Kosovën. Nga ana e saj, Ministrja Gërvalla e ftoi Shkëlqesinë e tij për të vizituar Kosovën.

 

Takimi me Kryeministrin e Kuvajtit, z. Sabah Al-Khaled Al-Hamad Al-Sabah

Në kuadër të agjendës, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u takua dhe bisedoi edhe me Kryeministrin e Kuvajtit. Në kuadër të kësaj bisede u shtjelluan aspekte të ndryshme të bashkëpunimit politik dhe ekonomik mes Kosovës dhe Kuvajtit. Palët u zotuan për thellimin dhe zgjerimin e këtij bashkëpunimi në të ardhmen.

 

Takimi me Ministrin e Punëve të Jashtme të Kuvajtit, Dr. Ahmad Nasser Al-Mohammad Al-Sabah

Gjatë vizitës zyrtare në Kuvajt, zv. Kryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, zhvilloi një bisedë intensive me homologun e saj kuvajtian. Me këtë rast u nënshkrua edhe një memorandum mirëkuptimi në fushën e diplomacisë.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të memorandumit në Sallën e Divanit të Përgjithshëm, nga të dy palët u theksua rëndësia e këtij memorandumi dhe nevoja e institucionalizimit të mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale.

Gjatë takimit, dhe pas drekës zyrtare, palët u ndalën në bashkëpunimin bilateral në fusha të ndryshme si investimet, ekonomia, tregtia dhe tema të tjera me interes të përbashkët.

 

Takimi me Drejtorin e  Përgjithshëm të Fondit të Kuvajtit për Zhvillim Arab Ekonomik, z. Marwan A. Al-Ghanem

Në takim u shtjelluan mundësitë e investimeve në fusha të ndryshme të ekonomisë dhe infrastrukturës në Republikën e Kosovës. Me këtë rast palët ranë dakord që të formojnë një grup të përbashkët punues për të identifikuar fushat e mundshme të investimeve dhe pastaj konkretizimin e tyre.



Takimi me zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të Odës së Tregtisë dhe Industrisë së Kuvajtit, Abdulwahab Mohammed Al-Wazzan

Ministrja Gërvalla njoftoi zëvëndësdrejtorin rreth zhvillimeve politike në Kosovë, stabilitetin politik dhe atë qeverisës, si dhe fushat e mundshme të investimeve për bizneset kuvajtiane. Ajo vuri po ashtu në pah mundësitë e përshtatshme që ofron Kosova për investime në fusha të ndryshme të ekonomisë, bujqësisë dhe infrastrukturës.

 

Ligjëratë në Institutin Diplomatik Kuvajtian

Ministrja e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, znj. Donika Gërvalla sot mbajti para diplomatëve të rinj kuvajtian një ligjëratë, gjatë së cilës i njoftoi ata për rrugën e Kosovës deri në arritjen e pavarësisë së saj si dhe sfidat rreth forcimit të subjektivitetit shtetëror të Kosovës.

Diplomatët e Kuvajtit ajo i njoftoi në vijim edhe rreth politikës destruktive dhe aspak fqinjësore që Serbia dhe aleatët e saj vazhojnë të ndjekin kundër shtetit të Kosovës dhe pavarësisë së tij.

Në fjalën e saj Ministrja Gërvalla theksoi faktin që Serbia akoma nuk është e gatshme të ballafaqohet me të kaluarën e saj hegjemoniste dhe gjenocidale ndaj fqinjëve të saj, duke bllokuar kështu proceset rajonale të bashkëpunimit dhe rrugën evropiane të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Këtë fakt znj. Gërvalla e ilustroi me ngritjen e para disa ditëve të aeroplanit MIG29 në kufi me Kosovën, destabilizimin e Malit të Zi, paralizimin e Bosnjë Hercegovinës dhe rolit të Kishës ortodokse serbe. 

Ajo vuri në pah orientimin properëndimor të Kosovës, si dhe theksoi domosdoshmërinë e përkrahjes së miqve dhe partnerëve të Kosovës për njohje të reja dhe anëtarësim në organizata të ndryshme ndërkombëtare.

 

Dekorimi i oficerëve dhe ushtarëve të FSK-së në Kuvajt

Në kuadër të vizitës zyrtare në shtetin e Kuvajtit, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj. Donika Gërvalla, mori pjesë sot në ceremoninë e dekorimit të tre pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në kampin Arifxhan, të cilët po përmbyllin shërbimin në mision paqësor në Kuvajt.

Majori Mentor Ibrahimi, komandant i Njësisë së FSK-së në Kuvajt, Kapiteni Kreshnik Haxhiu, Lejtnanti Dhurim Shemsedini si dhe Hyjnor Lajqi dhe Mehmet Mehmeti, u dekoruan nga Forca e Përbashkët e Kombinuar (Inherent Resolve) me medaljen “Army Commendation Medal” për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në kuadër forcës shumëkombëshe.

Me këtë rast ministrja Gërvalla, ka theksuar se Republika e Kosovës përmes këtij misioni dëshmon kontributin e saj për paqen globale përkrah partnerëve të saj strategjik.

“Ky rol që ka marrë Kosova përmes jush është historik, pasi që e vendos republikën tonë përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe partnerëve të tjerë strategjik për të kontribuuar për paqen dhe sigurinë në botë”, u është drejtuar ajo pjesëtarëve të FSK-së duke kujtuar se ky mision paqeruajtës është realizuar falë ShBA-ve si pjesë e Gardës Kombëtare të Iowas. Pas këtij takimi Gërvalla, së bashku me bashkëpunëtorët e saj, zhvilloi një bisedë të ngrohtë me ushtarët dhe oficerët e FSK-së.

Foto Galeria