4531 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • SHARE
  • PRINT

Gërvalla në Bruksel i bën thirrje NATO-s dhe BE-së të parandalojnë agresionin nacionalist në Ballkan

Bruksel, 15 nëntor 2021 - Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës znj. Donika Gërvalla, mori pjesë sot në panelin diskutues mbi të Ardhmen e Evropës-Perspektivën dhe kontributin e Ballkanit Perëndimor, në Bruksel, nën organizimin e znj. Federica Mogherini, rektore e Kolegjit të Evropës.

Pjesë e këtij diskutimi ishin ministrat e jashtëm të Ballkanit Perëndimor, zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian znj.Dubravka Šuica si dhe z. Gašper Dovžan sekretar i Shtetit për Punët e Jashtme i Sllovenisë e cila kryeson me Presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian,

Në fjalën e saj kryediplomatja e Kosovës, theksoi se problemet e sigurisë me të cilat po përballet Ballkani Perëndimor janë të ngjashme me ato të BE-së. Ndonëse Ballkani Perëndimor rrethohet nga të tëra anët me territor të BE-së, megjithatë ka thënë se është fort i pranishëm edhe ndikimi i aktorëve të tretë. 

“Që nga vitet e 1990-ta, asnjëherë fjala luftë nuk ka qenë kaq e pranishme dhe e përhapur në Ballkan me këtë intensitet. Prandaj, sot jemi mbledhur në një çast vendimtar. Dua t’u bëj thirrje veçanërisht kolegëve tanë që përfaqësojnë shtetet anëtare të NATO-s dhe të BE-së që të bëjnë gjithçka që munden, dhe gjithçka që duhet, për të parandaluar që kjo ringjallje e rrezikshme e agresionit nacionalist të mos shndërrohet në konflikt dhe në luftë në tërë rajonin”, ka thënë Gërvalla.

Ministrja Gërvalla ka përmendur zhvillimet e fundit në Kosovëdhe kërcënimet e hapura të Serbisë para disa javësh lidhur me vendosjen e reciprocitetit nga ana e Kosovës për targat e automjeteve.

“Le të mos vazhdojmë, ju lutem, të shtiremi sikur asgjë nuk po ndodh në Ballkan, me agresionin e Serbisë kundër vendeve fqinje ndaj Bosnjës, Malit të Zi dhe Kosovës. Ata ndihen të inkurajuar nga këto veprime, duke parë një BE që toleron edhe sjellje më agresive dhe nuk merr guximin as nuk prin që ta quajë këtë sjellje me emrin e vet: një agresion që nuk fshihet më, një agresion i hapur i Serbisë, me mbështetjen agresive të Rusisë”, ka thënë ndër të tjera Gërvalla.

Tutje ka theksuar se Rusia ka bërë investime të mëdha politike por edhe ushtarake në Ballkan. 

“Sfidën e kemi mu përpara sysh: Ose ne evropianët që besojmë në sundimin e ligjit dhe në parimet tona për rendin ndërkombëtar, i rrisim dukshëm përpjekjet tona dhe e parandalojmë ardhjen deri te lufta ose shkatërrimi; Ose Evropa mund ta shpallë kapitullimin e saj si aktor serioz i rendit botëror për këtë shekull”, ka nënvizuar ajo.

Andaj ministrja Gërvalla ka theksuar se vendet e Ballkanit Perëndimor mund të kontribuojmë në të Ardhmen e Evropës.Një BE, stabile e që përqafon vlera demokratike, promovon stabilitet dhe kërkon zgjerim në Ballkanin Perëndimor ka nënvizuar se është parakusht për një Evropë të qëndrueshme e prosperuese. “E Ardhmja e Evropës duhet të mbetet e hapur për zgjerim”, shtoi më tej Gërvalla.

 

Foto Galeria